UDHËZUES MJEKËSOR PËR TË SËMURIN NË MUAJIN E RAMAZANIT

UDHËZUES MJEKËSOR PËR TË SËMURIN NË MUAJIN E RAMAZANIT

 

Me hyrjen e muajit të begatë të Ramazanit për çdo vit, shumë të sëmurë pyesin nëse munden të agjërojnë apo jo, dhe nëse agjërimi i Ramazanit do ia përkeqësonte sëmundjen dhe simptomat e saj apo do të ishte e kundërta.

Pyetje të shumta i lindin të sëmurëve apo të afërmve të tyre, dhe disa prej tyre bien pre e hamendjes apo opinionit të dikujt që nuk ka njohuri nga mjekësia, dhe kështu që agjëron apo e prish agjërimin pa u konsultuar me mjekun specialist musliman, që të përcaktojë gjendjen e tij dhe t’i japë këshillat dhe rekomandimet e duhura.

Shumë prej të sëmurëve dëshirojnë të agjërojnë, por nuk mund ta përballojnë atë, ose agjërimi mund të jetë rëndues për sëmundjen e tyre. Po kështu, shumë prej opinioneve mjekësore janë bazuar në përvoja individuale apo në çfarë është publikuar në vende të ndryshme këtu e atje, dhe për fat të keq, në Institutin e Mjekësisë nuk ekziston ende një lëndë e posaçme për “Agjërimin dhe ndikimin e tij në sëmundjet e ndryshme”, si dhe nuk ekziston një referencë mjekësore që të përmbledhë të gjitha studimet shkencore të publikuara nëpër revistat mjekësore amerikane, evropiane e arabe, që lidhen me agjërimin.

Është për t’u gëzuar fakti që disa kërkime shkencore bashkëkohore i gjen të publikuara në disa prej revistave botërore të mjekësisë, siç është p.sh. revista britanike (BMJ), e cila ka publikuar artikuj në lidhje me agjërimin dhe të sëmurët me diabet, për ndikimin e agjërimit te shëndeti i fëmijes, për ndikimin e agjërimit te të sëmurët me dështim të veshkave, etj.

Për këtë shkak, ishte e domosdoshme përgatitja e një libri përmbledhës për qëndrimin e mjekësisë ndaj agjërimit të sëmurëve me një sërë sëmundjesh, si: zemra, gjoksi, aparati tretës, veshkat, etj, që njëkohësisht të përmbledhë të gjitha kërkimet shkencore bashkëkohore dhe rekomandimet e specialistëve të këtyre fushave.

Në vijim po paraqesim një përmbledhje të shkurtuar të librit “Udhëzues mjekësor për të sëmurin, në muajin e Ramazanit”, duke tërhequr vëmendjen se këto udhëzime janë këshilla të përgjithshme dhe nuk mund të zbatohen nga të gjithë të sëmurët, pa u konsultuar më parë me mjekun e tyre musliman, i cili e di më mirë gjendjen e të sëmurit.

  1. I sëmuri me probleme në aparatin e tretjes, në muajin e Ramazanit

Muaji i Ramazanit quhet me të drejtë, muaji i pushimit për aparatin tretës, por për fat të keq, shumë prej nesh e ngopin barkun me ushqime të shumëllojshme në ngrënien e Iftarit, duke e kthyer kështu lumturinë e stomakut dhe të zorrëve në ngopje dhe vuajtje për të. Në vijim po përmendim sëmundjet më të rëndësishme të aparatit tretës që kanë lidhje me agjërimin:

  • Ulçera e stomakut dhe e duodenit. I sëmuri me ulçër akute në stomak vuan nga dhimbjet në stomak kur uritet, madje disa dhimbje e zgjojnë nga gjumi. Këto dhimbje pakësohen kur ha ushqim, megjithëse pas disa orësh, dhimbjet rikthehen. Prej këtu, të sëmurët me ulçër, që përfshihen në njërën prej kategorive të mëposhtme, nuk duhet të agjërojnë:
  1. Ulçera akute: kur i sëmuri ankohet nga simptomat e ulçerës, si dhimbjet nga uria, apo dhimbjet qe e zgjojnë nga gjumi. Po kështu në rastet kur ndodh krizë akute te i sëmuri me ulçer kronike, as në këtë rast nuk duhet agjëruar. Edhe në rastet kur ndodhin rëndime të gjendjes si: gjakderdhje e aparatit tretës, apo kur ulçera vazhdon të mos mbyllet megjithëse i sëmuri e ndjek rregullisht kurimin me ilaçe.
  2. Vështirësia në tretje: kjo është një shprehje e përhapur që përfshin një sërë simptomash që pasojnë ngrënien e ushqimit, si dhimbjet e barkut, gazrat e barkut, gogësimën, vjelljen dhe ndjenjën e paqetësisë në pjesën e sipërme të barkut, sidomos pas ngrënies së një vakti të madh, pas ngrënies së shpejtë të ushqimit ose pas ngrënies së ushqimeve të pasura me yndyrna dhe erëza. Në shumicën e rasteve, gjendja e këtyre pacientëve përmirësohet me agjërimin e Ramazanit, por me kusht që të mos kenë ulçer akute në stomak apo në duoden, të mos kenë infeksion në ezofag si pasojë e një organi tjetër dhe me kusht që të eliminojnë teprimin në ngrënien e Iftarit dhe të Syfyrit.
  3. Hernia e stomakut: ndodh veçanërisht te të shëndoshët dhe posaçërisht te gratë e moshës së mesme. Shumica e të sëmurëve me hernie në stomak nuk ankohen nga asnjë lloj simptome, por ndokush mund të ankohet nga djegia apo thartira në stomak, sidomos kur e mbush stomakun plot apo kur përkulet përpara apo shtrihet mbi bark, sa që një pjesë e përmbajtjes së stomakut kthehet në ezofag. Njerëzit mbipeshë duhet të përpiqen me çdo kusht të ulin peshën e tyre, dhe agjërimi është ilaçi më i mirë për ta. Këta pacientë këshillohen të hanë vakte të lehta në Iftar dhe në Syfyr, të lënë duhanin, të lënë distancë kohore prej katër orësh ndërmjet ngrënies dhe fjetjes. Në rast se agjërimi do ishte shumë i rëndë për pacientin dhe atij do i shtoheshin simptomat e sëmundjes, atëherë këshillohet që të mos agjërojë.
  4. Diarrea: I sëmuri me diarre këshillohet të mos agjërojë, sidomos kur diarrea është e fortë. Ky i sëmurë nuk mundet të agjërojë sepse organizmi i tij nuk ka fuqi të zëvendësojë lëngjet dhe kripërat e humbura nga diarrea. Nëse i sëmuri me diarri agjëron, mund të preket nga tharja dhe rënia e tensionit të gjakut, ose mund të preket nga dështimi i veshkave.
  5. Sëmundjet e mëlçisë: Të sëmurët me sëmundje të avancuara të mëlçisë si cirroza apo kanceri i mëlçisë, nuk këshillohet të agjërojnë. Po kështu, nuk këshillohet të agjërojnë të sëmurët me Hepatit Viral akut apo me hidropi.
  6. Operimet në stomak: Ata të sëmurë që kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale me heqjen e një pjese të stomakut apo prerjen e tij për shkak të ulçerës për shembull, këta kanë nevojë të konsumojnë vakte të vogla dhe të rregullta ushqimi, kështu që mund të mos munden të agjërojnë.

 

  1. Të sëmurët me zemër në Ramazan

 Nuk ka dyshim se për një pjesë të madhe të sëmurëve me zemër agjërimi është i dobishëm, por ka disa raste të caktuara që nuk mund të agjërojnë.

  1. Tensioni i lartë i gjakut: Agjërimi bën mirë për tensionin e lartë të gjakut. Ulja e peshës që shoqërohet nga agjërimi, e ul ndjeshëm tensionin e gjakut, ashtu si edhe ushtrimet fizike si rezultat e kryerjes së namazit të Teravive dhe namazeve të tjera, i bëjnë shumë dobi të sëmurit me tension të lartë. Nëse i sëmuri e ruan tensionin e tij me ilaçe të rregullta, mund të agjërojë por me kusht që të vazhdojë marrjen e ilaçeve rregullisht. Aktualisht gjenden ilaçe për tensionin e lartë që merren vetëm një herë apo dy herë në ditë, kështu që mund të agjërosh dhe të marrësh ilaçet në syfyr dhe në iftar.
  2. Dështimi i Zemrës: Dështimi i zemrës është dy llojesh: dështimi i majtë dhe dështimi i djathtë. Zakonisht, i sëmuri ndjen ngushtim të frymëmarrjes kur kryen një punë, madje ndonjëherë mund të ndodhë edhe kur është duke pushuar. I sëmuri me dështim akut të zemrës nuk këshillohet të agjërojë, sepse ka nevojë të marrë ilaçe nxitëse të urinimit e ilaçe të tjera për forcimin e muskujve të zemrës, gjë e cila shpeshherë kërkon trajtim në spital. Por nëse gjendja e të sëmurit përmirësohet dhe është e qëndrueshme, dhe ai nuk merr ilaçe të tjera me përjashtim të një doze të vogël të nxitësve të urinës, atëherë ai mund të agjërojë pa problem. Gjithësesi, konsultimi me mjekun e zemrës musliman është i nevojshëm, sepse ai e përcakton nëse i sëmuri mund të agjërojë apo jo, bazuar në gjendjen e tij aktuale.
  3. Therrja e gjoksit: vjen zakonisht si rezultat i ngushtimit të venave koronare që ushqejnë muskulin e zemrës. Nëse gjendja e sëmurit është e qëndrueshme me marrjen e ilaçeve të posaçme, dhe ai nuk ankohet për dhimbje të gjoksit, atëherë mund të agjërojë pa problem muajin e Ramazanit, por pasi të konsultohet me mjekun e vet për t’u siguruar në lidhje me mundësinë e ndryshimit të orarit të marrjes së ilaçeve. Kurse të sëmurët me therje të gjoksit të paqëndrueshme, apo ata që duhet të marrin ilaçet Nitroglicerine nën gjuhë gjatë ditës, nuk këshillohet të agjërojnë, por duhet të vizitohen te mjeku për të caktuar programin e kurimit.
  4. Infarkti Kardiak (Ataku i Zemrës): vjen si rezultat i bllokimit të një prej venave koronare të zemrës, dhe çon në vdekjen e qelizave të zonës së prekur në zemër. Nuk këshillohet të agjërojnë të sëmurët që kanë kaluar një atak zemre, sidomos në gjashtë javët e para pas atakut. Por nëse i sëmuri është drejt shërimit të plotë dhe i është kthyer jetës së tij normale, atëherë mund të agjërojë, por me kusht që t’i marrë ilaçet rregullisht, nëse vazhdon të marrë ilaçe.
  5. Sëmundjet e valvulave të zemrës: këto sëmundje vijnë zakonisht nga prekja e këtyre valvulave nga ethet mushkërore (ethet reumatizmike) në moshën e fëmijërisë, dhe si rrjedhojë ndodh ngushtim apo dështim në vulvul si pasojë e fibrozës së ndodhur në fletët e valvulës. Nëse gjendja e të sëmurit është e qëndrueshme dhe nuk ankohet nga ndonjë simptomë që mund të përmendet, atëherë mund të agjërojë pa problem, por nëse i sëmuri vuan nga ngushtimi i frymëmarrjes dhe ka nevojë për marrjen e ilaçeve nxitëse të urinimit, atëherë këshillohet të mos agjërojë.

Të sëmurët e zemrës që nuk këshillohet të agjërojnë:

  • Të sëmurët me dështim të zemrës, me gjendje të paqëndrueshme.
  • Të sëmurët me therje të gjoksit, me gjendje të paqëndrueshme apo që nuk i përgjigjet ilaçit.
  • Të sëmurët që kanë pasur një atak zemre të afërt.
  • Gjendjet e ngushtimit të fortë apo dështimit të fortë të valvulave të zemrës.
  • Ethet mushkërore aktive.
  • Paqëndrueshmëritë e rrezikshme në sistemet e zemrës.
  • Gjatë disa javëve që pasojnë ndërhyrjet kirurgjikale në zemër.

 

  1. Të sëmurët e veshkave në muajin e Ramazanit

Veshkat kryejnë një sërë funksionesh në organizëm, si: pastrimi i gjakut nga mbetjet azotike, mbikqyrja e ekulibrimit të ujit dhe endacakëve në gjak, ruajtjen e ekuilibrit alkalin acidik të qëndrueshëm në organizëm. Nëse veshkat janë të shëndosha, agjërimi për to është pushim dhe shëndet, por nëse janë të sëmura, atëherë ato nuk mund të kryejnë ashtu si duhet funksionet e tyre për përqendrimin e urinës dhe nxjerrjen e lëndëve helmuese si urina me gjak, etj. Prej këtu, për të sëmurin me dështim të veshkave, agjërimi është rëndesë, e veçanërisht në zonat me klimë të nxehtë, sepse mund të ndodhë shtim i urinës së gjakut dhe i kreatinës në gjak. Çdo i sëmurë me veshka duhet të konsultohet me mjekun e tij para se të agjërojë, sepse nëse ai nuk konsumon sasi të mjaftueshme uji, mund të goditet nga dështimi i veshkave.

  1. Rastet e rënda të sëmurëve me veshka: Disa të sëmurë me veshka mund të kenë nevojë të shtrohen në spital dhe të kurohen atje. Në këtë rast nuk duhet dhe nuk mundet të agjërohet. Prej këtyre rasteve është infeksioni akut i veshkave, infeksioni akut i fshikëzës së urinës dhe kolitit veshkor, infeksioni akut i glomusit dhe veshkave, etj.
  2. Gurët e veshkave: Nëse dikush nuk ka pasur më parë gurë në veshka, nuk ka pse të shqetësohet në muajin e Ramazanit, por ata që kanë gurë në veshka, ose kanë një histori të ripërtëritjes së gurëve në veshka, gjendja e tyre mund të përkeqësohet nga thatësira në rast se nuk konsumojnë sasi të mjaftueshme lëngjesh. Të sëmurët me gurë në veshka është mirë që të mos agjërojnë në ditët e nxehta, sepse në këto ditë urina pakësohet ndjeshëm dhe kjo ndihmon rritjen e madhësisë së gurëve. Gjithësesi, përcaktimi i gjendjes i kthehet mjekut të posaçëm. Në rast të agjërimit, të sëmurët me gurë në veshka duhet të konsumojnë sasi të mjaftueshme lëngjesh në darkë dhe në syfyr, si dhe t’i shmangen të nxehtit dhe lodhjes gjatë ditës.
  3. Infeksioni Pyelonephritis kronik: kjo gjëndje mund të çojë pas një kohe drejt dështimit veshkor, prandaj këshillohet që të prekurit prej saj të mos agjërojnë, sepse mund të shtonte shanset e dështimit renal.
  4. Të sëmurët me Gomerulonephritis kronik: Sëmundje ku veshka preket me parregullsi në fuksionet e saj, dhe mund të arrijë në paralajmërimin veshkor në të cilin i sëmuri preket nga enjtja e këmbëve, nga pakësimi i albuminës në gjak dhe shfaqja e sasive të mëdha proteine në urinë. Këta të sëmurë këshillohen të mos agjërojnë, sidomos nëse sëmundja shoqërohet nga paralamërimi veshkor, ngritja e tensionit të gjakut apo dështimi veshkor.
  5. Dështimi renal kronik: Disa prej sëmundjeve të veshkave kalojnë në disa faza që përfundojnë me atë që quhet dështim renal kronik, dhe kjo ndodh kur prishet një pjesë e madhe e indeve të veshkave. Në këtë rast, i sëmuri ankohet për këputje të përgjithshme, urinim të shumtë, urinim natën dhe etje të vazhdueshme. Në këto raste ndodh shtim i nivelit të urinës së gjakut dhe të kreatinës, dhe mund të rritet potasiumi i gjakut, prandaj të sëmurët me dështim kronik të veshkave këshillohet të mos agjërojnë. Por nëse i sëmuri kurohet me dializë, mund të agjërojë në ditët që nuk bën dializë. Por e theksojmë përsëri, se i sëmuri duhet të konsultohet me mjekun e tij të posaçëm.

 

  1. I sëmuri me Diabet në muajin e Ramazanit

Të sëmurët me diabet ndahen në dy grupe: njëri grup mund të agjërojë, kurse i dyti ndalohet nga agjërimi.

  1. Të sëmurët me Diabet që mund të agjërojnë:
  • I sëmuri me diabetin e të rriturve, tipi 2, i cili kurohet vetëm me dietë ushqimore.
  • I sëmuri me diabetin e të rriturve që kurohet me dietë ushqimore dhe ilaçe për uljen e sheqerit në gjak: ky grup ndahet në dy lloje:
  • I sëmuri që merr vetëm një kokërr në ditë; zakonisht ky mund të agjërojë, me kusht që menjëherë pas ezanit të akshamit të bëjë iftar me 2-3 kokrra hurma arabe dhe një gotë ujë, pastaj të falë namazin e akshamit, dhe pas namazit të marrë ilaçin, pastaj të hajë vaktin e plotë të iftarit.
  • I sëmuri që merr dy kokrra në ditë; zakonisht mund të agjërojë, por me kusht që njërën kokërr ta marrë para vaktit të plotë të iftarit, kurse para syfyrit të marrë vetëm gjysëm kokrre dhe jo një të plotë. Po kështu duhet të veprojnë edhe ata që marrin më shumë se dy kokra ilaçe në ditë, duke përgjysmuar kokrrën që merr në syfyr, gjithnjë duke u konsultuar së pari me mjekun e vet.
  1. Të sëmurët me diabet që nuk mund të agjërojnë:
  • I sëmuri me diabetin e rinisë.
  • I sëmuri që merr sasi të madhe insulin (më shumë se 40 njësi në ditë), apo ata që marrin insulin dy herë në ditë.
  • I sëmuri me diabet të paqëndrueshëm.
  • E sëmura me diabet që është shtatzënë.
  • I sëmuri i moshuar që vuan nga diabeti për një kohë të gjatë dhe në të njëjtën kohë vuan nga komplikacionet e avancuara të sëmundjes.
  • I sëmuri i prekur me ngritjen e sheqerit pak ditë para muajit të Ramazanit apo në fillim të tij.

Duhet pasur parasysh se:

  • I sëmuri që preket nga kriza të pakësimit të sheqerit në gjak apo shtimit të madh të tij, duhet ta ndërpresë menjëherë agjërimin, sepse ka nevojë për ilaç të menjëhershëm.
  • Ngrënia e ushqimit duhet të ndahet në tre vakte të barabarta: i pari në kohën e Iftarit, i dyti pas namazit të Teravive dhe i treti në kohën e Syfyrit.
  • Vakti i syfyrit duhet të shtyhet sa më shumë të jetë e mundur, deri në mbarimin e kohës së tij dhe në hyrjen e kohës së sabahut.
  • Kujdes nga teprimi në ngrënie, sidomos me ëmbëlsirat dhe lëngjet e ëmbëltuara.

Në përgjithësi, lejimi i të sëmurit për të agjëruar apo moslejimi i tij, dhe sistemimi i kohës së marrjes së ilaçeve, kthehet te mjeku kurues dhe te askush tjetër.

  1. I sëmuri i gjoksit në muajin e Ramazanit

Shpeshherë sëmundjet e gjoksit vijnë papritmas në formën e infeksionit të gabzherrit apo të mushkërive.

  1. Infeksioni akut i gabzherrit: në rast se infeksioni akut i gabzherrit është i lehtë, i sëmuri mund ta marrë ilaçin e tij në kohën mes Iftarit dhe Syfyrit (gjatë natës), por nëse ai ka nevojë për antibiotikë që merren çdo 6-8 orë, apo nëse gjendja është e rëndë, atëherë këshillohet të mos agjërojë deri sat ë shërohet nga infeksioni.
  2. Infeksioni kronik i gabzherrit: në këtë rast i sëmuri vuan nga kolla e shoqëruar me gëlbazë për çdo ditë, deri në tre muaj rresht, dhe që zgjat më së paku deri në dy vjet. Nëse gjendja e të sëmurit është e qëndrueshme, ai mund të agjërojë pa ndonjë mundim që mund të përmendet, por në rastet akute që kanë nevojë për antibiotikë apo zgjerues të gypave, atëherë është mjeku i posaçëm ai që përcakton nëse i sëmuri mund të agjërojë apo jo.
  3. Astma bronkiale: Krizat e astmës mund të jenë të lehta tek disa të sëmurë dhe ata nuk kanë nevojë për marrje ilaçesh nga goja. Po kështu, të sëmurit mund t’i jepen ilaçe me efekt afatgjatë që mund t’i marrë në Iftar dhe në Syfyr. Shumë prej të sëmurëve me astmë kanë nevojë për dy apo më shumë thithje pompe kur ndjen ngushtim në gjoks, dhe pas saj i kthehet jetës ditore normale. Pas krizës, i sëmuri nuk duhet të vazhdojë agjërimin, por duhet të përdorë menjëherë pompën e tij, megjithëse disa dijetarë kanë thënë se këto pompa nuk e prishin agjërimin. Por gjithësesi, prishja e agjërimit është e domosdoshme kur ndodh krizë e fortë astme, sa që shumë prej të sëmurëve kanë nevojë të shtrohen në spital për t’u kuruar. Po kështu, duhet të prishet agjërimi nëse ndodh krizë astme që nuk i përgjigjet ilaçit të zakonshëm. Duhet pasur parasysh se mosngrënia dhe mospirja në këto raste pakëson rrjedhjen e sekrecioneve të gjoksit, dhe si pasojë vështirësohet nxjerrja jashtë e tyre.
  4. Tuberkulozi: i sëmuri me tuberkuloz mund të agjërojë, në qoftë se gjendja e tij e përgjithshme është e mirë dhe nuk ka asnjë lloj komplikacioni, por me kusht që i sëmuri t’i marrë ilaçet rregullisht. Zakonisht, ilaçet e tuberkulozit merren një herë apo dy herë në ditë, me përjashtim të fazës së rënduar, ku i sëmuri nuk këshillohet të agjërojë deri sa gjendja e tij e përgjithshme të përmirësohet.
  5. Të sëmuret e gjendrave në muajin e Ramazanit

Gjendrat endokrine: një grup organesh në trupin e njeriut që prodhojnë hormone. Më të rëndësishmet nga këto gjendra janë: gjendra e hipofizës, gjendra tiroide, gjendrat adrenale, ato të vezoreve, të testikujve dhe të pankreasit.

  1. Sëmundjet e gjendrave tiroide:
  • Teprimi i aktivitetit të gjendrës tiroide: prodhim i tepërt i hormonit Teroksin (T4). Në këtë rast i sëmuri vuan nga zmadhimi i gjendrës tiroide (poshtë gushës), ulje të peshës, dridhje dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Nëse gjendja e këtij të sëmuri është e qëndrueshme, ai mund të agjërojë, por duke i marrë ilaçet rregullisht.
  • Paaftësia e gjendrës tiroide: kur i sëmuri vuan nga këputja dhe lodhja e përgjithshme dhe e fortë, mangësia në aktivitetin mendor dhe nervor. Të sëmurit të kësaj kategorie i jepet si ilaç hormoni Teroksin, një herë në ditë, kështu që i sëmuri mundet të agjërojë pa ndonjë lloj problemi.
  • Tumoret e gjendrës tiroide: Agjërimi nuk ndikon aspak te tumoret e gjendrës tiroide, kështu që i sëmuri mund të agjërojë pa problem. Trajtimi i këtyre tumoreve bëhet zakonisht me ndërhyrje kirurgjikale.
  • Infeksionet akute të gjendrës tiroide: këto zakonisht shkaktojnë dhimbje në gjendër dhe mund të sjellin ethe, gjë që mund ta bëjë agjërimin të pamundur, njësoj si sëmundjet e tjera akute. Kurse infeksionet kronike të gjendrës tiroide zakonisht nuk bien ndesh me agjërimin.
  1. Sëmundjet e gjendrave adrenale: Adrenalet janë dy gjendra të vendosura mbi veshkat dhe prodhojnë një sërë hormonesh, nga më të rëndësishmet e të cilave është Kortizoli, Aldosteroni dhe hormonet veneriane (riprodhuese). Sëmundjet e këtyre gjendrave nuk janë shumë të përhapura, por gjithësesi më të rëndësishmet e tyre janë:
  • Cushing’s disease: sëmundje në të cilën ndodh këputje e trupit, ngritje e tensionit të gjakut, trashje në zona të caktuara të trupit, që i mënjanohet gjymtyrëve dhe përqëndrohet në fytyrë, siç mund të ndodhë edhe sëmundja e sheqerit. Këta të sëmurë nuk këshillohet të agjërojnë.
  • Sëmundja e Edisonit: sëmundje në të cilën ka mungesë të prodhimit të kortizolit, si rezultat i prishjes në gjendrat adrenale. Në këtë rast ndodh rënie e tensionit të gjakut, lodhje e madhe, ndryshim në ngjyrën e lëkurës që anon nga e errëta, etj. Këta të sëmurë nuk duhet të agjërojnë, sidomos kur kjo mund të shoqërohet me rënie të sheqerit në gjak.
  • Kanceri Melanoma: një sëmundje e rrallë që shkakton rritje të luhatshme të tensionit të gjakut dhe kriza djersitjeje, rrahje të zemrës dhe këputje të përgjithshme. Këtu këshillohet për mos agjërim. Heqja me ndërhyrje kirurgjikale e këtij lloj kanceri pasohet zakonisht me shërim të plotë, gjë që e bën agjërimin të mundshëm më pas.
  1. Sëmundjet e gjendrës së Hipofizës: janë gjithashtu sëmundje të rralla, dhe për të prekurit prej tyre këshillohet të mos agjërojnë.
  2. Të sëmurët me sëmundje nervore dhe psikike në muajin e Ramazanit
  3. Epilepsia: i sëmuri me epilepsi apo me spazma mund të agjërojë pa problem, me kusht që të marrë ilaçet kundër spazmës rregullisht. Aktualisht ekzistojnë ilaçe që i jepen të sëmurëve një herë në ditë për të mbajtur spazmat nën kontroll.
  4. Brengosja dhe pikëllimi: këta të sëmurë mund të agjërojnë, por me kusht që të marrin rregullisht ilaçet kundër brengosjes, që zakonisht merren një apo dy herë në ditë (kështu që mund të merren në iftar dhe në syfyr).
  5. I sëmuri me skizofreni: këtij nuk i lejohet të agjërojë, sepse ndërprerja e ilaçeve të skizofrenisë mund të çojë në kriza të ushtrimit të dhunës dhe haluçinacioneve (iluzioneve), dhe mund të sulmojë të tjerët.

 

  1. Gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse në muajin e Ramazanit

Kërkimet e reja shkencore kanë sqaruar se agjërimi i Ramazanit shkakon ndryshime fiziologjike dhe kimike te gruaja shtatzënë, por ai nuk ndikon për keq tek ajo që është e shëndetshme dhe që nuk vuan nga ndonjë sëmundje. Por megjithatë, nuk mund të thuhet prerë së kjo vlen për të gjitha gratë shtatzëna dhe gjidhënëse, sepse ka gra shtatzëna dhe gjidhënëse që mund të agjërojnë, dhe ka të tjera që nuk munden. Nëse dikush prej këtyre agjëron dhe ndjen dhimbje të mëdha koke, apo veshje të syve, këputje dhe lodhje të përgjithshme apo pafuqi për kryerjen e çdo lloj pune, kjo do të thotë se ka rënie të ndjeshme të sheqerit në gjak, ose se ekziston diçka jonormale, kështu që duhet të konsultohet me mjekun e vet.

Cilat janë ato gjendje sëmundjesh që i lejojnë gruas shtatzënë të mos agjërojë?

  • Rënia e tensionit të gjakut (numrit të lartë kur matet tensioni) nën 100 mlm merkuri, sepse kjo mund te shkaktojë gjendjen e të fikëve, plus pamundësinë e përqendrimit.
  • Të vjellat që shoqërojnë gruan shtatzënë, sidomos gjatë tre muajve të parë të shtatzanisë.
  • Helmimi i shtatzanisë: kur ndodh ngritje e tensionit të gjakut dhe shfaqet albumin në urinë.
  • Kur ndodh rënie në sheqerin e gjakut.
  • Kur ekziston një sëmundje tjetër fizike.

Shkurtimisht: Agjërimi apo jo i gruas shtatzënë në muajin e Ramazanit varet nga gjendja e saj dhe e fetusit në kohën para hyrjes së Ramazanit; nëse të gjithë treguesit dhe gjendja e shtratit tregojnë se shëndeti i saj dhe i fëmijës është i plotë, atëherë në më të shumtën e gjasave, doktori apo doktoresha muslimane do të këshillojë për të agjëruar.

  1. Gjidhënia dhe agjërimi

Gruaja gjidhënëse mund ta agjërojë muajin e Ramazanit, me kusht që të ketë zëvendësim të llojit të ushqimeve dhe lëngjeve në netët e Ramazanit, dhe me kusht që agjërimi të mos ndikojë në sasinë dhe cilësinë e qumështit për fëmijën në gji.

Por nëse gruaja gjidhënëse ka frikë se agjërimi do të ndikonte keq tek ajo apo fëmija i saj, apo do të ndikonte në cilësinë e qumështit të gjirit, atëherë i lejohet të mos agjërojë.

Përfundim: Marrja e vendimit për mundësinë apo jo të agjërimit të Ramazanit nuk është çështje e lehtë, dhe nuk mund të vendosen rregulla të përgjithshme për të gjithë të sëmurët, por për çdo të sëmurë të veçantë duhet studim dhe vendim i veçantë, gjë të cilën nuk mund ta bëjë veçse mjeku specialist musliman, i cili zotëron të gjitha të dhënat që i mundësojnë këshillimin e pacientit të tij për të agjëruar ose për të mos agjëruar.

Lutja jonë e fundit është: “Elhamdu lilahi rabbil alemin” – Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!

Dr. Hasan Shemsi Basha

 

Ndajeni këtë artikull me miqtë tuaj!

Na ndiqni në Facebook