Etika Islame e ngrënies dhe pirjes (Pjesa 1)
Etika Islame e ngrënies dhe pirjes, dhe ndikimi i saj në shëndetin e individit dhe shoqërisë (Pjesa I)
Themelet e menaxhimit të ushqimit dhe pijeve në ligjin Islam
Lavdi Krijuesit, i Cili dwrgoi Muhamedin dhe i zbriti atij Kuranin dhe Islamin, si mwshirw pwr njerwzimin, pwr t’u mwsuar atyre atw qw ju bwn dobi dhe qw i ruan nga ajo qw i dwmton, nw tw gjitha lwmitw e jetws, duke pwrfshirw edhe pwrkujdesin shëndetësor që ua imponoi qenieve njerëzore për t’i bërë ata të lumtur, pasi shumica e sëmundjeve që vuanin njerëzit – dhe që vazhdojnë ende të vuajnë në epokën tonë moderne – janw për shkak të privimit dhe mungesës së rëndë të ushqimit, ose për shkak të ngrënies dhe pirjes së tepruar dhe shpërdorimit të ushqimit.
Zgjidhja e madhe mrekulluese Islame erdhi me tri fjalë nga Libri i Zotit të Madhëruar, nw njw rregull Kuranor tw madh, ku thuhet: “O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz! Hani e pini, por mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” [Surja El A’raf, ajeti 31]. Dhe urdhëroi që të agjërohet një muaj në vit për të ruajtur shëndetin dhe integritetin e sistemeve dhe organeve të trupit.
Studimet mjekësore kanë vërtetuar sot se pacientët e zemrës mund të jetojnë gjatë dhe larg komplikimeve serioze, nëse e moderojnë ushqimin dhe pijen e tyre, dhe në anën tjetër, Islami i ka urdhëruar të pasurit të paguajnë zekatin për pasuritë e tyre për të shpëtuar miliona njerëz të rrezikuar nga uria, mjerimi, varfëria, sëmundja dhe vdekja.
Njw rregull tjetër Kur’anor erdhi si një thirrje kumbuese, të cilën shkëncëtarët e sotëm konfirmojnë se është zgjidhja e përsosur për problemet shëndetësore të epokës, të cilën i Plotfuqishmi e bëri një nga objektivat e misionit të Profetit analfabet, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!), kur tha: “Atyre[1] që ndjekin të Dërguarin, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill; Ai i urdhëron ata për mirë dhe i ndalon nga e keqja; u lejon të gjitha të mirat[2] dhe u ndalon të këqiat;[3] dhe heq nga ata barrët e rënda dhe prangat që kanë pasur.[4] Kështu, ata që e besojnë atë (Muhamedin), që e nderojnë, që e ndihmojnë, dhe që ndjekin dritën që ka zbritur me të,[5] pikërisht ata janë të fituarit.”[6] [El A’raf, 157].
Pra, ndalimi i alkoolit, mishit të ngordhur, gjakut, mishit të derrit dhe shkatërruesve të epokës sonë që u bashkëngjiten këtyre të këqiave, si droga, cigaret e të ngjashme, është sepse këto janë nga shkaqet më të rëndësishme të sëmundjeve, paaftësisë, vdekjes dhe shkatërrimit në kohën tonë moderne.
Po ashtu, udhëzimi i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) erdhi me etika të posaçme me të cilat muslimani menaxhon ushqimin dhe pijen e tij, që përveç kësaj i shton jetës së tij shoqërore një nuancë të mrekullueshme estetike dhe të sjelljes, pasi Ligjvënësi rregulloi ngrënien e vakteve, sasinë e tyre dhe mënyrën e ngrënies në përputhje me atë që ka arritur sot mjekësia moderne parandaluese dhe shkenca shëndetësore, që në fakt janë bazuar pikërisht në tekstet Islame për t’i pasur si teori që të mund t’i vërtetojnë me kërkime shkencore.
Muslimani nuk ha pa qenë i uritur dhe kur ha, nuk arrin nivelin e ngopjes, sepse “Biri i Ademit (njeriu) nuk mbush enë më të keqe se barku i vet. Atij i mjaftojnë disa kafshata për të mbajtur shpinën drejt! Nëse patjetër dëshiron të hajë më shumë, atëherë të rezervojë një të tretën e stomakut për ushqimin, një të tretën për ujin dhe një të tretën për ajrin!” [Tirmidhiu, Hadithi nr. 2380].
Në pajtim me rëndësinë shëndetësore të mënyrës së të ngrënit dhe të pirit, dhe lidhjen e saj me shëndetin e trupit, mjeku i parë dhe i Dërguari i së Vërtetës, Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) përcaktoi pozicionin optimal të uljes gjatë ngrënies dhe ndaloi pozicionet që mund të rezultojnë në ndonjë dëm, të tillë si ngrënia ose pirja në këmbë ose shtrirë. Dhe ka rekomanduar gjithashtu që të flitet gjatë ngrënies për t’u sjellë lumturi pjesëmarrësve, gjë që rrit sekretimin e lëngjeve tretëse dhe ndihmon në përdorimin optimal të ushqimit.
Ai (profeti Muhamed) ka këshilluar që darka të shtrohet para kryerjes së faljes së darkës dhe që gota e ujit të pihet me dy ose tre ndalesa, duke e thithur ujin me thithje të lehtë dhe jo duke e gllabëruar, për shkak të efektit të keq që ka kjo gjë në stomak dhe sistemin tretës në përgjithësi.
Dhe nëse mjekësia moderne ka zbuluar mikrobet patogjene dhe parazitët vdekjeprurëse për njerëzit në fund të shekullit të kaluar dhe ka treguar se ndotja e ushqimit dhe pijeve me to është një nga shkaqet më të rëndësishme të infektimit të njeriut me një sërë sëmundjesh të rënda, të tilla si kolera, tifoja, dizenteria, tuberkulozi i zorrëve, krimbat, hepatiti dhe të tjera, dhe atëherë shkenca e mjekësisë parandaluese vendosi një sërë rregullash shëndetësore që njerëzit duhet t’u përmbahen për të siguruar që ushqimi dhe pijet e tyre të jenë të pastra dhe të sigurta nga ndotja bakteriale, Feja jonë e vërtetë Islame i themeloi këto mësime dhe i urdhëroi pasuesit e saj t’u përmbaheshin atyre më shumë se katërmbëdhjetë shekuj më parë.
Është e vërteta, mësimet profetike në menaxhimin e ushqimit dhe pijeve ishin kulmi i saktësisë shkencore dhe kulmi i prirjes së ligjvënësit të madh për sigurinë e ndjekësve të tij dhe mbrojtjen e tyre nga e keqja e rënies në kthetrat e sëmundjes. Muhamedi (lavdia dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!) ka urdhëruar që të mbulohet ena e ushqimit dhe të mbyllet mirë ena e ujit, që të mos lihet e ekspozuar ndaj mizave dhe pluhurit, ashtu siç ka ndaluar të pihet nga gryka e gjymit apo enës prej lëkure që përdorej për ruajtjen e ujit, ose që të fryhet në ujë, për të siguruar sigurinë e tij nga ndotja, dhe ka urdhëruar larjen e duarve para dhe pas ngrënies; ka urdhëruar të hahet me dorën e djathtë dhe ka ndaluar të hahet me të majtën që është caktuar për pastrim të nevojave personale dhe veprime të tjera ndotëse, e gjithë kjo për të garantuar sigurinë e ushqimit dhe që ai të mos jetë i kontaminuar me mikrobe, siç do ta shohim.
Ligjvënësi ishte gjithashtu i prirur që të mos ndotej uji i pijshëm, kështu që e ndaloi personin e zgjuar nga gjumi të zhyste dorën në enë para se ta lante atë, sepse “nuk e di ku ka shkuar dora e tij gjatë gjumit.” Ai gjithashtu ndaloi jashtëqitjen ose urinimin pranë burimeve të ujit dhe nën hijen e pemëve ku pushojnë njerëzit. Këto veprime madje llogariten si shkaktarë të mallkimeve. Ai, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kini kujdes nga tri mallkimet: jashtëqitjet në burime, buzë rrugëve dhe hijet e njerëzve!”, ashtu siç e “ka ndaluar urinimin në ujin e ndenjur” – këto i transmeton Buhariu dhe Muslimi.
- Të mirat janë të lejuara dhe të këqijat të ndaluara
Është rregulli më i rëndësishëm në sistemin e të ushqyerit në Islam. Këtu, kur përmendim etikën e ngrënies dhe pirjes, duhet të kujtojmë rëndësinë e këtij rregulli të vendosur nga Ligjvënësi Suprem (Allahu) për të mbrojtur individin në komunitetin musliman nga sëmundjet vdekjeprurëse që mund ta godasin kur konsumon ushqime ose pije “të këqija”. Dhe nëse tekstet Kur’anore dhe Profetike kanë treguar qartë ndalimin e disa ushqimeve dhe pijeve për shkak të papastërtisë së tyre, si alkooli, mishi i ngordhur, gjaku, mishi i derrit dhe çdo gjë që është e ndotur me papastërti, atëherë pijet e tjera si duhani, hashashi dhe droga të tjera, dhe të tjera që nuk ishin të njohura në kohën e shpalljes së Kuranit, kështu që nuk u zbritën tekste të veçanta për to, por Ligjvënësi nuk i la njerëzit të hutuar për çështjen e tyre, por vendosi një ekuilibër të saktë që u mundëson dijetarëve të Islamit në çdo kohë dhe vend të peshojnë çdo risi me një fjalë të qartë që e bëri ligj të vendosur shkencor në të cilin vendoset e gjithë urtësia dhe në të cilën është për njerëzimin çdo mirësi, e ajo është thënia e të Madhëruarit në Kuran: “Atyre që ndjekin të Dërguarin, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill; Ai i urdhëron ata për mirë dhe i ndalon nga e keqja; u lejon të gjitha të mirat dhe u ndalon të këqiat; dhe heq nga ata barrët e rënda dhe prangat që kanë pasur. Kështu, ata që e besojnë atë (Muhamedin), që e nderojnë, që e ndihmojnë, dhe që ndjekin dritën që ka zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” [El A’raf, 157].
Islami nuk e ka ndaluar ndonjë ushqim apo pije, veçse për shkak të dëmit që rezulton nga ajo, apo ndotësia e hetuar në të, si vërtetim i fjalës së Zotit të Madhëruar: “Të pyesin se çfarë u është lejuar atyre. Thuaj: “Ju janë lejuar të gjitha të mirat.” [El Maide, 4].
Trupi në aktivitetin e tij jetësor ka nevojë për ushqim që ndërton trupin dhe rikthen atë që është shkatërruar prej tij, si proteinat dhe yndyrnat, gjithashtu ka nevojë për ushqim për të gjeneruar energji, domethënë që gjeneron nxehtësi instinktive dhe siguron funksionimin e organeve si zemra, frymëmarrja dhe tretja. Prandaj, Islami kërkon të hahet sasia minimale ose e nevojshme e ushqimit dhe pijeve, në mënyrë që të ruhet jeta dhe të largohet vdekja. Mbi atë që është e nevojshme, lejohet ngrënia e saj përderisa nuk është e ndyrë, e dëmshme, e papastër ose cenuese e të drejtave të të tjerëve dhe nëse nuk arrin deri në shpërdorim.
Dhe nëse ushqimi ka dy burime kryesore: shtazore ose bimore, atëherë është optimale për shëndetin që të alternojë këto lloje pa u kufizuar në njërën prej tyre. Është vërtet e mrekullueshme të konstatosh se sjellja e Profetit analfabet, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në ushqimin e tij ishte plotësisht në përputhje me këtë parim të shkencës shëndetësore. Këtë e vërteton edhe Ibnul Kajjim el-Xhevzije për ushqimin e Profetit (paqja e Allahut oftë mbi të!): “Nuk ishte zakon i të Dërguarit të Allahut që të kufizohej në një lloj ushqimi të vetëm, duke mos e kapërcyer atë në një lloj tjetër, por i pëlqente të bashkonte mes ushqimeve dhe të rregullonte shijen e njërit me tjetrin, siç ka ardhur në dy Sahihat e Buhariu dhe Muslimit nga Abdullah bin Xhaferi, i cili thotë: “E pashë të Dërguarin e Zotit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke ngrënë hurma me tranguj.”
Dhe nëse ushqimet bimore janë më pak toksike se ato shtazore, por kufizimi i tyre shkakton anemi për shkak të mungesës së heolinës dhe humbjes së vitaminës B12, ashtu si kufizimi në proteinat bimore e bën trupin të bjerë në strukturën e indeve, dhe kjo duhet të plotësohet nga disponueshmëria e proteinave shtazore.
Muslimani nuk ka pse t’ia ndalojë vetes disa nga të mirat që Zoti i ka lejuar me qëllimin që t’i afrohet Allahut, sepse Zoti i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, mos i ndaloni të mirat që Zoti ua ka lejuar.” [El Maideh, 9]; Dhe i Plotfuqishmi thotë: Thuaj: “Kush i ka ndaluar veshjet e bukura të Allahut që i ka nxjerrë për robërit e Tij, si dhe ushqimet e mira?” [El-A’raf, 32]
Të gjitha bimët e perimet janë të lejuara të konsumohen, përderisa nuk janë ndikuar nga diçka e jashtme si vjedhja ose papastërtia, dhe përveç nëse vërtetohet se dëmi i saj është toksik në të, ose për shkak se është dehëse ose e shpifur, dhe kjo është për shkak të përgjithësimit të thënies së Zotit të Madhëruar: “O njerëz! Hani nga ato që janë të lejuara e të mira në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse vërtet ai është armiku juaj i hapur.” [El Bekare, 168].
Sa i përket burimit shtazor të ushqimit, teksti kuranor ndalon ngrënien e mishit të ngordhur, gjakut dhe mishit të derrit, dhe Suneti i miratuar nga shumica e juristëve të Islamit ndalon ngrënien e kafshëve grabitqare si luanët, tigrat, ujqërit dhe leopardët (të gjitha ato kafshë me dhëmbë të mprehtë (mishngrënës) prej kafshëve grabitqare), si dhe shpendët grabitqarë, pra shpendët me kthetra si sokoli, skifteri dhe shqiponja, siç ka ardhur në hadithin e Ibën Abasit të transmetuar nga Muslimi.
Edhe mishi i qenve ishte i ndaluar, sipas asaj që transmetohet nga Rafi’ Ibn Hatixh nga Pejgamberi (paqja e Zotit qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Çmimi i qenit është i keq (i ndaluar).” [Transmeton Muslimi].
Është gjithashtu e ndaluar ngrënia e mishit të gomerëve shtëpiakë, sipas asaj që kanë transmetuar dy shejhat, Buhariu dhe Muslimi nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit shtëpiak dhe dha lejë për moshin e kalit.”
Ndalohet edhe bretkosa si rezultat i ndalimit të vrasjes së saj, dhe po ashtu ndalohet ngrënia e kafshëve të tokës si gjarpëri, akrepi, miu etj., për shkak të natyrës së keqe të tyre dhe dëmit apo toksicitetit që mund të kenë disa prej tyre te njerëzit, dhe për shkak se ato transmetojnë sëmundje vdekjeprurëse te qeniet njerëzore, si murtaja, tifoja dhe të tjera.
Gjërat e dëmshme, dëmi i të cilave është i vërtetuar dhe nuk ka tekst nga Kurani apo Hadithi për ndalimin e tyre, dhe helmet, janë të gjitha të ndaluara për përgjithësinë e tekstit “dhe mos e shkatërroni vetveten me duart tuaja” [El Bekare, 195] dhe për thënien e të Dërguarit, alejhi selam: “Nuk lejohet dëmtimi dhe as kthimi i dëmit me dëm.”
Lartësuar qoftë Zoti ynë, sepse asgjë nuk na ka ndaluar përveç asaj që është e keqe dhe e dëmshme për ne, dhe nuk na ka lejuar përveç të mirave dhe të dobishmeve, përveç se është obligim për muslimanin të shmangë konsumimin e asaj që Zoti e ka ndaluar nga ushqimet apo pijet në bindje ndaj Zotit të Plotfuqishëm, pavarësisht nëse e kupton arsyen e ndalimit apo jo, duke pranuar se këto gjëra të ndaluara i ka ndaluar Krijuesi, i Gjithëdijshmi për atë që e dëmton këtë qenie njerëzore – të cilën e krijoi me Dorën e Tij – dhe çfarë i bën dobi atij, duke vërtetuar thënien e të Plotfuqishmit: “Dhe ua lejon të mirat dhe ua ndalon të këqiat e të papastrat.”
- Hani dhe pini, por mos u teproni
Njeriu është instinktivisht grykës, ha dhe pi në mënyrë të tepruar, sidomos në ditët e moshës së mesme. Ajo që zakonisht ha një njeri për sa i përket ushqimit dhe pijeve vlerësohet trefishi i asaj që i nevojitet. Shkenca nuk dyshon kurrë se më të shpejtët e të larguarve nga bota e dynjasë në botën e varreve janë ata që bëjnë vetëvrasje me gojën e tyre dhe me atë që e teprojnë prej ushqimeve dhe pijeve që fusin në bark. Vërtet, në rregullin e madh hyjnor “Hani e pini, por mos e teproni!” është sekreti i shijimit të një jete të mbizotëruar nga lumturia e shëndetit dhe kënaqësisë. Teprimi është i rrezikshëm nga ana mjekësore dhe i ndaluar sipas përgjithësisë së tekstit Kuranor.
Dhe pse ushqimi dhe pija janë kënaqësi, Zoti i Madhëruar i ka bërë ato që të shuajnë prirjen instiktive për t’i konsumuar ato për të ruajtur jetën dhe vazhdimësinë e saj, ashtu si dhe shijimi i ushqimit stimulon veprimet instiktive të tretjes dhe sekretimin e lëngjeve të tretjes, derisa të asimilohet mirë. Është vërtet gabim i rëndë që njeriu të vendosë kënaqësinë si synim në ngrënien dhe pirjen e tij, gjë që e bën atë ta teprojë në to dhe të devijojë në mënyrën e përmbushjes së kësaj kënaqësie, dhe kjo nuk është një nga cilësitë e besimtarit në asgjë. Kurani Famëlartë vërteton se qëndrimi në shijimin e ushqimeve dhe pijeve, pa ndonjë qëllim tjetër, është një nga karakteristikat e jobesimtarëve, dhe kjo është besueshmëria e thënies së Zotit të Madhëruar: “Ata që nuk besuan kënaqen dhe hanë ashtu siç hanë bagëtia, dhe zjarri është vendbanimi i tyre.” [El Ahkaf, 20].
Tradita e pastër profetike e vërteton këtë kuptim dhe ndalon teprimin në ushqim, dhe se muslimani duhet të mjaftohet me aq sa e mban jetën e tij dhe ruan shëndetin dhe forcën e tij, në mënyrë që të mund të punojë për jetesën e tij dhe për të adhuruar Allahun, Zotin e botëve. Buhariu ka transmetuar se një njeri hante shumë dhe u bë musliman, pastaj filloi të hante pak, kështu që ia përmendi këtë të Dërguarit të Zotit, salallahu alejhi ue selem, i cili tha: “Besimtari ha me një zorrë kurse jobesimtari ha me shtatë zorrë.” Ibn Ethir e përmend një koment për këtë hadith: “Është një paraqitje e kënaqësisë së besimtarit me pak nga kjo botë dhe e dëshirës së jobesimtarit për shumë prej saj.”
Nga këtu kuptojmë lutjen e Pejgamberit alejhi selam: “O Zot, bëje furnizimin e familjes së Muhamedit aq sa të mjaftojë!” [Buhariu dhe Muslimi].
Umer ibnul Hattabi, Allahut qofshtë i kënaqur me të, tërhoqi vërejtjen për grykësinë dhe pangopshmërinë, duke thënë: “Kini kujdes nga grykësia në ushqim dhe pije, sepse ajo e prish trupin, shkakton sëmundje dhe fut përtaci në kryerjen e faljes (namazit)! Bëhuni të ekuilibruar në ngrënie e pirje, sepse kjo është më e shëndetshme për trupin dhe më larg teprimit! Vërtet, Zoti i Lartësuar e urren njeriun obez të shëndoshë, dhe njeriu nuk do të humbasë derisa të paraprijë epshin e tij mbi fenë e tij.”
I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të), në një thënie tjetër të tij, thotë: “Ushqimi i njërit mjafton për dy, ushqimi i dyve mjafton për katër, dhe ushqimi i katër njerëzve mjafton për tetë.” [Muslimi]
I Dërguari i Zotit paralajmëron nga teprimi në ushqim dhe se ngopja e njërit është ushqimi i të dyve, gjë që u mjafton dhe i mban të fortë, si dhe këshillon që vetëm një e treta e stomakut të jetë për ushqim. Nëse njerëzit sot do ta zbatonin këtë urdhër, ata do të mbroheshin nga shumë sëmundje dhe stomaku i tyre nuk do të lodhej nga tretja e ushqimit të tepërt, kështu që mbeturinat do të pakësoheshin, trupi do të ishte aktiv, gjaku do të ishte i pastër dhe mendja do të ndriste.
Prej moralit të muslimanit është që të përmbahet dhe ta mbrojë veten nga teprimi i qortueshëm, kështu që i mundëson vetes dëshira të lejuara herë pas here, e herë të tjera ia pengon ato, jo si ndalim të gjërave të mira që Zoti i ka lejuar, por si mënyrë për t’i zbutur ato me qëllim që ta ketë vetveten nën kontroll të vazhdueshëm.
Imran bin El Husejn transmeton se i Dërguari i Zotit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Më i miri prej jush është brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që do të vijnë pas tyre; pastaj pas tyre do të ketë njerëz që dëshmojnë pa iu kërkuar të dëshmojnë, që tradhtojnë dhe nuk u besohet, që bëjnë zotime dhe nuk i përmbushin ato, dhe në mesin e tyre do të shfaqet dhjamosja.” [Muslimi, kurse Buhariu ka nxjerrë hadith të ngjashëm me të].
Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Fatkeqësia e parë që ndodhi në këtë popull pas Profetit të tij ishte ngopja. Kur njerëzve u mbushet barku, u dhjamoset trupi, kështu që zemrat e tyre dobësohen dhe epshet e tyre shfrenohen!” [Buhariu].
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Familja e Muhamedit nuk u ngop kurrë me ushqim për tri ditë rresht, derisa ai ndërroi jetë.” Transmeton Buhariu.
Edukator i suksesshëm është ai që fjalët e tij i mishëron me veprime shembullore dhe kjo është madhështia e mësimeve profetike që u shoqëruan me sjellje praktike dhe zgjidhje realiste nga jeta e tij.
Efektet e këqija shëndetësore të ushqimit dhe pijeve të tepërta
Grykësia dhe ngrënia e një sasie të madhe ushqimi që tejkalon kapacitetin e stomakut çon në atë që quhet ngopje, e cila çon në dispepsi, gazra të shpeshta, dhimbje epigastrike, kongjestion të mëlçisë dhe mund të çojë gjithashtu në zgjerim akut të stomakut, i cili shkakton presion të madh në zemër, gjë që pengon kthimin venoz në të, vështirësi në frymëmarrje dhe çrregullime të ritmit të zemrës dhe gjendja e pacientit përkeqësohet dhe mund të përfundojë me vdekje.
Ngrënia e tepërt kronike çon në zgjerimin e stomakut dhe zorrëve dhe në atrofi në mukozën e tij dhe gjëndrat që sekretojnë lëngje të tretjes, duke rezultuar në kapsllëk kronik, dispepsi, helmim kronik ushqimor dhe dobësi nervore që rezulton prej saj. Tek ata që janë të predispozuar, ushqimi i tepërt shkakton një numër të madh sëmundjes, si obeziteti, përdhesi dhe diabeti, si dhe rrit incidencën e sëmundjeve të zemrës dhe goditjen e saj.
Ushqimi i tepërt, që është mbi nevojën e trupit, grumbullohet në formën e yndyrës dhe deponohet nën lëkurë dhe rreth zorrëve, në mëlçi dhe rreth zemrës, ku shkakton një ngarkesë të madhe, venat ngurtësohen, presioni i gjakut rritet, mpiksjet dhe hemiplegia shumohen, gjëndrat lodhen dhe shfaqet diabeti, përveç lodhjes së veshkave duke u caktuar atyre më shumë se kapaciteti i tyre për të filtruar gjakun dhe për të nxjerrë mbeturinat, kjo është përveç asaj që përmendëm për zgjerimin e stomakut dhe problemet e traktit tretës.
Ngrënia dhe pirja e tepërt pasohet nga përtacia në trup, mërzia në mendime dhe prirja për të fjetur, që është shkatërrim dhe humbje e kohës që duhet të shfrytëzohet për këtë botë dhe për botën tjetër.
Hulumtime të ndryshme kanë konfirmuar se mbiushqyerja tek fëmijët dhe adoleshentët çon, përveç shtimit të peshës, në pjekurinë e hershme, gjë që çon në pubertetin e hershëm.
Obeziteti shfaqet si pasojë e ngrënies së tepërt të llojeve të ndryshme të ushqimeve, veçanërisht në mesin e klasës së pasur dhe atyre me punë dembelizmi.
Njeriu duhet të jetë i moderuar në ushqimin dhe pijen e tij dhe të ruajë peshën e tij ideale sa më shumë që të jetë e mundur, veçanërisht nëse ka një predispozitë gjenetike për obezitet.
Duhet vendosur një program i veçantë për ushqimin, të kufizohen karbohidratet dhe sheqernat dhe të përmbahesh sa më shumë nga konsumimi i substancave me acide yndyrore të ngopura si vaj vegjetal, dhjami dhe margarina, dhe t’i zëvendësosh këto me substanca yndyrore të pangopura si vaj i ullirit apo kokosit. Shto konsumin e sallatës dhe perimeve dhe ha një lugë gjelle krunde ose uthull molle para ushqimit, si dhe agjëro në mënyrë vullnetare sa më shumë të jetë e mundur, që të përfitosh më të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Theksojmë këtu se ai që është mësuar me teprimin në ushqim duhet ta zvogëlojë gradualisht vaktin e tij derisa të kthehet në kufirin e moderuar.
Ka disa sëmundje që vijnë nga konsumimi i tepërt i një produkti të caktuar ushqimor (proteina, yndyrë, sheqer) për një kohë të gjatë. Konsumimi i tepërt i sheqerit të bardhë dhe ëmbëlsirave të bëra prej tij dëmton rëndë trupin, për shkak të tendencës së çuditshme të sheqerit për t’u bashkuar me kalciumin.
Kur kalciumi në gjak kalon një kufi të caktuar, sasia e tepërt bashkohet me disa inde dhe gjaku detyrohet të kompensojë atë që ka humbur prej tij, kështu që e merr atë nga kockat dhe dhëmbët, gjë që çon në prishjen e dhëmbëve dhe dobësimin e kockave, ashtu si fermentimi i mbetjeve të sheqerit në gojë sjell edhe nekrozë. Marrja e tepërt e karbohidrateve në përgjithësi çon në glikozuri dhe teprica e saj kthehet në yndyrë (obezitet).
Sa i përket konsumit të tepërt të yndyrës, ajo çon në septicemi, hiperlipidemi dhe yndyrë trupore, gjë që çon në obezitet, ngurtësim të arterieve, presion të lartë të gjakut, mëlçi dhjamore dhe shumë sëmundje të rënda të zemrës.
Sa i përket konsumit të tepërt të proteinave, si mishi, vezët, qumështi dhe të ngjashme, mbetjet toksike të tyre grumbullohen në trup dhe e ekspozojnë atë ndaj gurëve në veshka, ose ndaj përdhesit (sëmundja e mbretërve) dhe ndaj dështimit të veshkave, presionit të lartë, dhe ngurtësimit të arterieve gjithashtu.
[1] Do ia jap mëshirën Time të posaçme atyre që ndjekin të Dërguarin Muhamed, nga çdo kombësi që të jenë; këtu përfshihen edhe vetë pasardhësit e izraelitëve, madje fjala duket se i drejtohet atyre, që kur të vijë profeti Muhamed, ta besojnë dhe ta pasojnë atë bashkë me popullin e tij arab, në mënyrë që të vazhojnë të jenë besimtarë dhe të përfshihen në mëshirën e Allahut.
[2] Ushqimet e mira dhe të padëmshme; bagëtitë që i ndalonin idhujtarët e Mekës, për të cilat u fol në suren El En’am.
[3] Gjërat e këqia dhe të dëmshme për shëndetin, si mishi i derrit, e ngordhta, gjaku; apo që janë të dëmshme për ekonominë, si kamata, vjedhja, mashtrimi në tregti; dhe çdo gjë e keqe që Allahu e ka ndaluar.
[4] Për shkak të mohimit dhe mosbindjes së bijve të Izraelit ndaj Musait (alejhis selam), atyre iu vështirësuan dhe iu rënduan shumë ligje dhe rregulla si ndëshkim për ta, por kur erdhi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), Allahu i hoqi ato ligje dhe rregulla të rënda dhe solli lehtësim për besimtarët; kështu që ata Izraelitë që do e besojnë dhe do e pasojnë Muhamedin, nuk do i kenë më mbi shpinë ato barra të rënda dhe vështirësi e pranga që kanë pasur më parë në ligjin e Musait (alejhis selam).
[5] Kuranin dhe Islamin.
[6] Që do të arrijnë fitoren, shpëtimin dhe shpërblimin e Allahut; kurse të gjithë të tjerët janë të humburit në këtë botë dhe në botën tjetër.