Kurimi me Rukje
Kurimi me Rukje nga Kurani dhe Tradita Profetike e Muhamedit (Paqja dhe Bekimet e Allahut qofshin mbi te!)
Kurani është shërim për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.” [Fussilet, 44] Dhe thotë gjithashtu: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” [El Isra, 82].
Allahu nuk ka zbritur nga qielli ndonjë shërirn më të dobishëm, më gjithëpërfshirës, më madhështor dhe më efektiv për heqjen e sëmundjes se sa Kurani, i cili është shërim për zemrat nga sëmundja e injorancës, mosbesimit, pasigurisë, etj. Do të mjaftonte vetëm surja “El Fatiha” për t’u kuruar nga çdo sëmundje e shpirtit dhe e trupit, nëse njeriu do ta praktikonte ashtu si duhet kurimin me të.
Si behet kjo?
Dije se të gjitha ajetet që lexohen për sherim, lutjet dhe rukjet e ndryshme që kane ardhur në Kuran dhe Sunet, janë të dobishme dhe shëruese në vetvete, por megjithëkëtë ato kërkojnë pranim nga zemra dhe vendosmëri të fortë nga i sëmuri.
D.m.th.njeriu duhet ta lidhë zemrën me Krijuesin e tij, t’i lutet vetëm Atij që ta shërojë, dhe të jetë i bindur se shërimi është vetëm në Dorë të Allahut, dhe nga ilaçet më të mira për shërim është Libri i Allahut, Kurani, që është Fjala e Allahut. Duke qënë se zerma i nënshtrohet Allahut dhe e pranon kurën me Librin e Tij, dhe njeriu ka vendosmëri të fortë në kurimin me Librin e Allahut dhe me lutjet profetike, atëherë njeriu shërohet me sherim të plotë nga Allahu i Madhëruar, sepse në këtë rast ka ndodhur ajo që ka thënë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Për çdo semundje ka ilaç, dhe nëse qëllohet ilaçi i sëmundjes, njeriu shërohet me lejen e Allahut.” [Muslimi, 2204].
Muslimani duhet të lexojë sa më shumë Kuran çdo ditë, ose të dëgjojë sa më shumë Kuran nëse nuk mund të lexojë, dhe të përpiqet sa më shumë që të mesojë të lexoje Kuranin arabisht, sepse kështu ai ruan veten dhe shtëpinë tij nga çdo e keqe dhe e lidh atë me Allahun e Madhëruar, dhe kështu nuk mbetet më vend për të keqen, as për stres apo sëmundje, as për magji apo xhin, por vetëm për engjëj e për begati, e Allahu është Ai i cili e ka në dorë suksesin, prandaj lutjuni Allahut sa më shumë dhe kalojeni sprovën me të cilën jeni sprovuar, në atë mënyrë që Allahu ka urdhëruar dhe me të cilën arrihet kënaqësia e Tij!
Nuk duhet të ketë shtëpi muslimani ku të mos dëgjohet Kuran çdo ditë, por ata që janë sprovuar me shqetësime apo sëmundje të caktuara duhet të dëgjojnë Kuran patjetër, dhe veçanërisht këto ajete që përfshihen në atë që quhet Rukje.