Funksioni i riprodhimit te femrat

Aparati i riprodhimit femëror përbëhet nga :
a) Vezoret që janë gjendrat seksuale femërore lidhen me
b) Gypat e Falopit ,të cilët përfundojnë në
c) Uterus (ose mitër),që përfaqëson organin muskulor ku zhvillohet embrioni i cili vazhdon me
d)Qafën e mitrës e cila përfundon me
e) Vaginën.
Vezoret janë gjëndra seksuale të riprodhimit te femrat, janë dy të vendosura në të dy anët e fundit të barkut. Kanë formën dhe madhësinë e një bajameje dhe secila lidhet drejtëpërdrejtë me gypin uterin respektiv ose ndryshe Tromba e Falopit (ose ovidukt). Nëpërmjet ovidukteve veza e liruar nga vezoret mund të arrijë uterusin. Uterusi (ose mitra) është organ muskulor zgavror. Përbëhet nga muskujt e lëmuar (miometri) dhe nga shtresë mukoze e përbëre nga indi lidhor e pasur me enë gjaku (endometri).

Cikli i vezores dhe i mitrës

Zhvillimi i vezës dhe përshtatja e mitrës për t’u rritur rregullohen nga hormone. Vezoret e ushtrojnë normalisht aktivitetin e tyre në mënyrë ciklike. Çdo cikël zgjat 28 ditë, duke liruar një vezë. Çdo vezë zhvillohet në një strukturë të vogël në formë qeske që quhet folikul. Cikli kontrollohet nga hormoni nxitës i folikulave ose FSH, që prodhohet nga hipofiza. Dora- dorës që folikula rritet mbushet me një lëng që përmban hormonin estrogjen. Kjo quhet faza e parë ose folikulare. Kur veza piqet, folikula çahet dhe veza transportohet nga lëngu në ovidukt. Lirimi i vezës quhet ovulacion. Ovulacioni përbën fazën e dytë. Pas ovulacionit folikula shndërrohet në një strukturë që quhet trupi i verdhë, zhvillimi i të cilës kontrollohet nga një tjetër hormon hipofizar që quhet hormoni luteinizues ose LH. Ky çast shënon fillimin e fazës luteale ose fazës së tretë. Ndërkohë trupi i verdhë prodhon hormonin progresteron i cili ndikon në shndërrimin e mukozës uterine në një shtresë sfungjerore ku mund të fiksohet veza e fekonduar dhe ruhet gjatë gjithë periudhës së shtatzanisë. Nëse veza nuk fekondohet, trupi i verdhë shkatërrohet, prodhimi i progresteronit pakësohet, muret e mitrës çahen dhe fillon gjakderdhje. Ky fluks gjaku i mukozës uterine i përzier me produkte të shpërbërjes së qelizës vezë quhet menstruacion.

Cikli i mitrës ndodh në katër faza: 
1) Menstruacionet me një kohë zgjatjeje mesatare 5 ditë. ;
2) Faza folikulare nga përfundimi i mestruacioneve të fundit deri në momentin e ovulacionit (MESATARISHT 10-14 ditë)
3) Ovulacioni, lirimi nga ana e vezores e vezës së pjekur.
4) Faza luteale, nga ovulacioni deri në menstruacionet  pasardhëse (rreth 14 ditë).
Steriliteti te femrat kthehet te:

  1. Defekti në vezore, i cili përbën 30-40 % të shkaqeve të sterilitetit tek gratë. Në këtë rast ndodh çrregullim në funksionin e vezoreve ose mungon prodhimi i vezëve për shkak të një çekuilibri në sekretimin e hormoneve hipofizare dhe ato të vezoreve që ndikojnë në rritjen dhe pjekjen e vezëve, dhe si rrjedhojë lëshimin dhe lirimin e tyre nga vezorja, për t’u kapur më pas nga tubi dhe për të vazhduar udhëtimin natyral të tyre. Ky defekt mund të vijë edhe për shkak të ndonjë të mete të lindur në përbërjen e indeve të vezoreve, ose për shkak të ndonjë cisti rreth tyre.
  2. Defekti në gyp, i cili  përbën gjithashtu 30-40 % të shkaqeve të infertilitetit tek gratë. Gypi ka funksion bartës të vezës në rradhë të parë, duke e kapur vezën nga vezorja dhe duke e rrëshqitur atë me lehtësi brenda tij, ku takohet edhe me spermën dhe ndodh pllenimi, pastaj veza e pllenuar ndjek rrugën e saj drejt mitrës. Defekti i këtij gypi mund të qëndrojë në ndonjë çrregullim të lindur si mungesa e gypit për shembull, ose nga prania e ndonjë infeksioni të mëparshëm të legenit, i cili ka shkaktuar bllokim të plotë ose të pjesshëm të tubit,  në njërën ose në të dyja anët e tij, brenda ose jashtë tubit, duke penguar kështu lëvizjen normale të vezës në gyp, dhe mbërritjen e saj në kohën e duhur, në mitër ku vazhdon proceset e tjera të zhvillimit.
  3. Çrregullim në qafën e mitrës, e vlerësuar me rreth 5 % të rasteve të infertilitetit tek gratë. Qafa e mitrës është pengesa e parë që duhet të kalohet nga sperma apo të depërtojë nëpër sekrecionet e saj deri sat ë arrijë në mitër, dhe çdo ndryshim në natyrën e sekrecioneve të qafës së mitrës ose mukusit cervikal mund të pengojë ose të ndalojë hyrjen e spermës, apo edhe ta vrasë atë. Kjo vjen si shkak i ekzistencës së infeksioneve ose si rrjedhojë e një operacioni të mëparshëm në qafën e mitrës, ose nga ndikimi i çrregullimeve hormonale, apo edhe i defekteve të lindura, por këto të fundit janë të pakta dhe të rralla.
  4. Disa shkaqe të mitrës, ku përfsihet prania e tumoreve fibroze, mishi i huaj, aderenca e shkaktuar nga infeksionet apo ndërhyrjet e mëparshme kirurgjikale, apo defektet e lindura, dhe që të gjitha këto pengojnë strehimin e vezës së fekonduar në membranën brenda mitrës dhe në miter, ku të rritet dhe të zhvillohet.
  5. Shkaqe Imunologjike, dmth: prania e antitrupave kundër sperms, tek vetë sperma e mashkullit ose gjaku i tij, ose edhe tek gruaja gjithashtu, në gjakun e saj ose në qafën e mitrës, gjë e cila gjithashtu vret spermën.
  6. Shkaqe të pashpjegueshme, të cilat mund të ekzistojnë tek dy bashkëshortë të shëndoshë në ekzaminim klinik dhe laboratorik, por që megjithatë, shtatzënia nuk ndodh.

Analizat

Duhen bërë ato analiza që zbulojnë praninë e ndonjë sëmundje, me ekzaminim klinik, si dhe duke mësuar historinë e sëmundjes, pastaj duke bërë analizat e posaçme që provojnë funksionimin e secilës nga dy vezoret, tubat, mitrën, qafën e mitrës, etj.